Mitrovicë, 18.05.2018 – Gjykata Themelore në Mitrovicë, ka shpallur fajtorë të pandehurin, M.B, për dy vepra penale, ndërkaq e ka liruar nga akuza për një vepër penale.
Për veprën penale Vrasje e rënd nga neni 179, pika 1.5 dhe 1.8 të KPRK, i është shqiptuar dënimi me burg në kohëzgjatje prej 20 vjet, për veprën penale, Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 i KPRK-së, dënohet me dy vite burg, ndërkaq lirohet nga akuza për Vrasje e rëndë në tentative nga neni 179 paragrafi 1, pika 1.5, e lidhur me nenin 28 e 31 të KPRK-së.
M.B, me datë 29.09.2015, rreth orës 16:30, në rrugën “Ilijaz Kodra”, në Skenderaj, në afërsi të stacionit të autobusëve, me dashje e me qëllim hakmarrje ka privuar nga jeta tani të ndjerin V.G, në atë mënyrë pasi i ndjeri ka vrarë B. B, në shenjë hakmarrje deri sa viktima është ndaluar me veturën e tij të markës “BMW”, në të cilën ndodhej bashkëshortja dhe miku i tij A.F. Nga automjeti i markës Ford, me targa gjermane, të cilin e drejtonte personi tani i paidentifikuar, ka shtënë i pandehuri M.B, nga dritarja e automjetit me pushkë automatike AK-47, godet viktimën duke i shkaktuar gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme, e për shkak të dëmtimit të organeve vitale në kraharorë (zemrës, mushkërive, aortës) dhe abdomenit (mëlçisë, vdes.
Gjithashtu nga të shtënat me armë me dashje i pandehuri, ka vënë në rrezik të drejtpërdrejtë edhe jetën e bashkudhëtares N.G dhe A.F, duke i shkaktuar lëndime trupore të dëmtuarit A.F, në regjionin e shpinës majtas, ku si pasojë e plagëve të pësuara transferohet në QKUK në Prishtinë, si dhe i shkakton dëme automjetit të të dëmtuarit S.I.
Në këtë kohë të vuajtjes së dënimit, llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 11.11.2016 e derisa aktgjykimi ta merr formën e prerë por, jo më shumë se dënimi i shqiptuar në aktgjykim – 21 vjet.