Mitrovicë, 24 mars 2023 – Nën kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Bekim Veliqi, ka pritur në takim Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, Kryetarin e Komisionit për monitorimin, vlerësimin dhe raportimin e Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi, si dhe Planit Strategjik për zgjidhjen efikase të lëndëve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjyqtarin Afrim Shala dhe ekspertin nga USAID, John Ferry.
Nën kryetari Veliqi, theksoi se gjyqtarët janë të përkushtuar që të zbatojnë planin në fjalë, si dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me qëllim të rritjes së efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies në sistemin gjyqësor, përkundër sfidave të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.
Nga ana tjetër, kryesuesi Zogaj, shprehu mbështetjen e KGJK-së dhe gjykatave për ofrimin e mbështetjen e nevojshme me qëllim që Gjykata Themelore në Mitrovicë të funksionojë për ofrimin e shërbimeve për qytetarët.
Me këtë rast, Zogaj ka theksuar përkrahjen e gjykatave ndaj Gjykatës Themelore të Mitrovicës, duke dhënë një shembull të shkëlqyer që sistemi gjyqësor mund të vet menaxhohet.
Ndërsa Kryetar i Komisionit, Afrim Shala, shtoi se do të bëhet monitorim, vlerësim dhe raportim në trajtimin e lëndëve me prioritet të lartë, sigurimin e procedurës së drejtë gjyqësore, si dhe përcaktimi i kritereve të prioritizimit të natyrës së caktuar të lëndëve.
Eksperti nga USAID, John Ferry, tha se është i lumtur për këtë iniciativë dhe e gëzon fakti që ky Komision përbëhet nga vendorët dhe me iniciativë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth Planit Strategjik për Përmirësimin e Qasjes në Drejtësi për vitet 2022-2025, si dhe sfidat që rrjedhin nga ky Plan Strategjik.
Në takim morën pjesë gjyqtarët mbikëqyrës të degëve, përgjegjësit e departamenteve të gjykatave si dhe administratorja e gjykatës.