Mitrovicë, 19 shtator 2024 – Në Gjykatën Themelore Mitrovicë ka filluar faza testuese e implementimit të sistemit të incizimit audio dhe video të seancave gjyqësore, një hap i rëndësishëm drejt rritjes së transparencës dhe efikasitetit në procesin gjyqësor. Ky sistem modern do të mundësojë regjistrimin e plotë të seancave gjyqësore, duke siguruar një dokumentim të saktë dhe të besueshëm të të gjitha veprimeve të kryera gjatë shqyrtimeve gjyqësore.
Projekti për audio dhe video incizimit të seancave gjyqësore është financuar nga Byroja Ndërkombëtare për Çështje të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit (INL) me mbështetjen e Departamentit të Shtetit Amerikan ,përmes të cilit Këshillit Gjyqësor të Kosovës i’u është ofruar përkrahje financiare për implementimin e projektit.
Sistemi i incizimit audio dhe video gjatë seancave gjyqësore siguron një qasje më transparente ndaj procedurave gjyqësore. Palët në proces dhe publiku do të kenë një pasqyrë të qartë dhe të besueshme mbi zhvillimet e seancave, është efikas dhe ndihmon në përshpejtimin e procesit duke lehtësuar punën e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës, sidomos me Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Incizimet audio dhe video krijojnë një arkiv të sigurt dhe të plotë të të gjitha seancave duke arritur të eliminohen keqinterpretimet ose humbjet e të dhënave gjatë procesit gjyqësor, duke kontribuar kështu në një proces më të drejtë dhe të saktë.
Implementimi i sistemit të incizimit audio dhe video të seancave gjyqësore përbën një avancim të madh në procesin e modernizimit të gjykatave. Kjo do të ndihmojë në rritjen e besimit të publikut në sistemin gjyqësor, duke siguruar një dokumentim të plotë dhe të besueshëm të asaj që ndodh në seancat gjyqësore.