Dënim me burgim në kohëzgjatje prej një (1) vit e gjashtë (6) muaj ndaj të pandehurit E.P
Mitrovicë, 03 korrik 2024 – Pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë është zhvilluar procedura penale ndaj të pandehurit E.P për veprat penale; Dhunimi nga neni 227, paragrafi 4, pika 4.2 e 4.4 e lidhur me nenin 1 dhe nenin 77 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (tutje: KPRK), dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366, par.1, të KPRK-së, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, PP-50/2023 e dt.24.05.2023.
Më 31 maj 2024, Gjykata ka përfunduar shqyrtimin gjyqësor dhe çështjen penale në tërësi ndaj të pandehurit si më lart. Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e ka rikualifikuar veprën penale në aktakuzë nga vepra penale Dhunimi sipas nenit 227 par.4 pika 4.2 dhe 4.4 lidhur me nenin 1 e me nenin 77 te KPRK-se, në veprën penale: Lëndim i lehtë trupor nga neni 185 par.1 nën par 1.4 të KPRK-së, sepse nga provat materiale dhe shkencore nuk është provuar se i pandehuri ka kryer veprën penale të dhunimit.
Gjykata e ka shpall fajtor dhe e ka dënuar të pandehurin E.P për veprën penale; Lëndim i lehtë trupor nga neni 185 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me dënim me burgim në kohëzgjatje prej një (1) vit e gjashtë (6) muaj. Ndërsa, për veprën penale; Mbajtje në pronësi, në kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPRK-së, me dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj. Sipas nenit 76 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, të pandehurit EP i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej një (1) vit e tetë (8) muaj.
Pas shpalljes së aktgjykimit, Gjykata (trupi gjykues) me vendim të veçantë, të arsyetuar i’a ka ndërprerë masën e paraburgimit të pandehurit pasi që ka vlerësuar se kanë pushuar të gjitha kushtet ligjore mbi të cilat është caktuar kjo masë e sigurisë, se gjykimi ka përfunduar dhe i pandehuri për këtë rast ka qëndruar në masën e paraburgimit me tepër se një vit. Ky vendim është bërë i formës së prerë, pasi që, askush nga palët e as prokurori i shtetit nuk kanë parashtruar ankesë kundër këtij vendimi.
Aktgjykimi për ketë rast është në fazën e përpilimit (draftimit) me shkrimi nga Kryetari i trupit gjykues dhe pas përfundimit do t’iu dërgohet të gjitha palëve me udhëzimet për të drejtën në ankesë.Të gjitha çështjet tjera, provat dhe faktet se ku është mbështetur gjykata për këtë vendim do të sqarohen në aktgjykimin me shkrim.Të gjitha palët e pakënaqura kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë ndaj vendimit (aktgjykimit) në afat prej 30 ditë pasi ta pranojnë vendimi me shkrim.
Gjykata i ka zbatuar dhe respektuar të gjitha standardet për një gjykim të drejtë dhe korrekt, duke respektuar të drejtat e palëve dhe përfaqësuesve të tyre në procedurë dhe vlen të theksohet se gjatë gjithë gjykimit asnjë nga palët nuk kanë paraqitur apo ngritur asnjë vërejtje të vetëm apo kundërshtim ndaj trupit gjykues e as ndaj procesit që është udhëhequr nga kjo gjykate. Për sa i përket vendimit, rikujtojmë se gjykata i mbështet vendimet e saj në ligj dhe në provat apo dëshmitë që janë shqyrtuar gjatë gjykimit dhe përderisa vendimi nuk është i formës se prerë dhe gjykimi ka qenë i mbyllur për publikun nuk mund të japim detaje të tjera specifike.
Sa i përketë rikualifikimit të veprës penale, rikujtojmë se sipas nenit 359 par.2 të Kodit të Procedurës Penale, Gjykata nuk detyrohet me propozimet e prokurorit të shtetit lidhur me kualifikimin ligjor të veprës penale.Ndërkaq sipas nenit 360 par.1 i Kodit të Procedurës Penale, Gjykata e bazon aktgjykimin vetëm në faktet dhe provat e proceduara në shqyrtimin gjyqësor, prandaj mbi këto baza është dhënë vendimi në këtë rast.
Gjitha çështjet tjera që janë shfaq në publik ditëve të fundit për këtë rast, janë të pavërteta dhe asgjë më shumë se spekulime.