Mitrovicë , 25 maj 2018 – Në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarë ndërkombëtarë e shpalli fajtor të akuzuarin, Zoran Vukotic, për njërën nga dy pikat e aktakuzës me të cilat ngarkohej ai.
I akuzuari Zoran Vukotiç u shpall fajtor për nënshtrimin e disa civilëve shqiptarë ndaj trajtimit çnjerëzor dhe vuajtjeve të mëdha duke ju shkaktuar rrahje, cenim të integritetit trupor dhe shëndetësor, si dhe për zbatimin e masave të frikësimit dhe terrorit, derisa ata ishin të burgosur në Burgun e Smerkovnicës në Rajonin e Mitrovicës, ndërmjet datave 3 maj dhe fillimit të qershorit të vitit 1999.
I akuzuari Vukotiç, u dënua për kryerjen e veprës penale Krime të luftës ndaj popullatës civile dhe u dënua me 6 vjet e 6 muaj burgim. Me anë të një vendimi të veçantë i është vazhduar masa e paraburgimit të tij deri sa Aktgjykimi të bëhet përfundimtar.
Ndëkohë i akuzuari u lirua nga akuza e Pikës I të Aktakuzës, përkitazi me sulmin ndaj popullatës civile shqiptare të cilët po udhëtonin në konvoj ndërmjet Studimes së Epërme dhe Studimes së Poshtme, ndërmjet datave 2 dhe 3 maj 1999, pasi që nuk është vërtetuar se i pandehuri i ka kryer veprat për të cilat akuzohet.
Të gjitha palët kanë të drejtë ankese.